Lajme

Kasolli: PDK u tërhoq nga negocimi me LVV-në për shkak të presioneve të brendshme, LDK po përballet me tensione në parti

07/21/2026 13:07
nga:L J

Analisti politik Afrim Kasolli, në një intervistë për GazetaBlic, ka vlerësuar se kriza politike në Kosovë është pasojë e dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri, ndërsa zgjedhjet, sipas tij, nuk kanë sjellë ndonjë qartësi më të madhe politike.

“Kriza erdhi si dështim i Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri të pas presidentes Vjosa Osmani dhe pamundësisë së partive politike për të gjetur një figurë konsensuale, zgjedhjet u bënë i vetmi opsion që mbetën në tavolinë, por nuk do të thotë që këto zgjedhje kanë krijuar një qartësi më të madhe se sa që ishte para zgjedhjeve të 7 qershorit, thuajse jemi brenda të njëjtës skemë të politikës. Nuk duket në horizont ndonjë mundësi e shpejtë që partitë politike të arrijnë ndonjë marrëveshje për të tejkaluar dallimet që kanë”, tha Kasolli.

Duke komentuar zhvillimet në PDK, Kasolli tha se ky subjekt fillimisht kishte qëndrim që të negocioheshin tri pozitat në një marrëveshje, por më pas u tërhoq nga ky propozim.

“PDK fillimisht pati qëndrim që duhet të negociohen tri pozitat në një marrëveshje, mirëpo u tërhoq nga ky propozim, mbase edhe nga mosmarrëveshjet e brendshme, sepse para se të fillonin negociatat pamë një lloj kërcënimi apo, ta themi hapur, një lloj shantazhi politik nga kryetari i Skenderajt ndaj kryesisë, që as nuk guxojnë të tentojnë të përfshihen në bashkëqeverisje me VV, sepse i njëjti do të jepte dorëheqje. Atëherë kryesia u vendos para një sprove serioze: ose të vazhdonte ta ndante pushtetin me Kurtin e ta humbte Sami Lushtakun, ose ta ruante këtë të fundit e të distancohej nga përpjekjet e mëtejshme për ndarje të qeverisë, megjithëse ende zëra brenda këtij subjekti politik po insistojnë të mos hidhet poshtë mundësia për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen”, deklaroi ai për GazetaBlic.

Kasolli foli edhe për situatën në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të cilën tha se mbetet partneri potencial që e ka përkufizuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, por që aktualisht po përballet me tensione të brendshme.

“Megjithatë mbetet partneri potencial që ka përkufizuar edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje, LDK, e ky subjekt politik është përfshirë në disa telashe shumë serioze dhe nuk dihet a do të mund t’i mbijetojë këtyre tensioneve lidershipi aktual i LDK-së, për shkak të frustrimit që kanë një pjesë e delegatëve me mënyrën se si është menaxhuar LDK-ja”, përfundoi Kasolli.

Ndiqni videon e plotë: