Një sulm me raketë nga Rusia ndaj një anijeje që transportonte misër pranë portit jugor ukrainas të Odesës ka vrarë 10 persona, thanë zyrtarët ukrainas të hënën. Ky është sulmi më vdekjeprurës gjatë një përshkallëzimi disa-javor të dhunës në Detin e Zi.
Rusia goditi anijen Golden Leo – një anije me flamur të Guinesë-Bisau, me ekuipazh nga India dhe Siria me tri raketa lundruese, duke shkaktuar zjarr të dielën, njoftoi marina ukrainase përmes aplikacionit Telegram.
Një dëshmitar i Reuters në Odesë pa tym të dendur që ngrihej nga një anije pranë bregdetit të dielën. Reuters konfirmoi se bëhej fjalë për anijen Golden Leo.
Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati gjithë natën. Autoriteti i porteve detare të Ukrainës tha se nëntë anëtarë të ekuipazhit dhe një pilot detar humbën jetën. Tetë nga 17 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan.
Sipas të dhënave të LSEG, anija Golden Leo është në pronësi të kompanisë me bazë në Mumbai, Ocean Grace Shipping Ltd. Kompania menaxhuese e saj, Friends Shipping Co SA, nuk kishte dhënë menjëherë koment pas kërkesës së Reuters. Nga Moska nuk pati menjëherë asnjë koment publik për incidentin, shkruan Reuters.


