Lajme

Jahjaga përuron muralin “Çast” në Gjakovë: Simbol kujtese dhe nderimi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

07/17/2026 15:40
nga:L J

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në përurimin e muralit “Çast” në Gjakovë, një vepër artistike e realizuar në kuadër të nismës “Lulëkuqja e Çastit”, e cila synon të nderojë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ceremonia u mbajt pranë lumit Krena, në prani të kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, drejtoreshës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, drejtoreshës së Medica Gjakova, Mirlinda Sada, si dhe aktivisteve e qytetarëve.

Përmes një postimi, Jahjaga tha se me këtë përurim në Gjakovë u shënua një moment kujtese, nderimi dhe reflektimi për vuajtjet e së kaluarës, nga të cilat, sipas saj, burojnë rrënjët e historisë së re të Kosovës.

Ajo falënderoi kryetarin e Komunës së Gjakovës për bashkëpunimin, artisten Mimoza për realizimin e muralit, si dhe të gjithë ata që morën pjesë në këtë ngjarje për të nderuar të mbijetuarit.

Murali “Çast” është pjesë e angazhimit të Fondacionit Jahjaga për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe rritjen e ndërgjegjësimit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.