LDK ka pezulluar bisedimet me VV-në për krijimin e institucioneve, për shkak të zhvillimeve në këtë parti, ku 151 delegatë kanë dërguar nënshkrimet e tyre për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Lidhur me këtë, analisti Arton Muhaxheri, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se LDK është në një proces të rëndë politik të brendshëm.
“LDK është futur në një proces të rëndë politik të brendshëm, ku kemi një kryetar që mendon se nuk ka LDK pa të, ashtu siç e kemi një parti që mendon se nuk ka Kosovë pa të. Pra, edhe pa Lumirin do të ketë LDK, ashtu siç do të ketë Kosovë edhe pa LDK-në. Po e them këtë sepse kjo parti i jep vetes rëndësi më shumë sesa i ka dhënë qytetari, ndërsa lideri i saj i jep vetes rëndësi më shumë sesa ia japin strukturat”, është shprehur ai.
Por, sa ekzistojnë shanset që pas këtyre zhvillimeve të ketë mundësi për koalicion mes LDK-së e VV-së?
Lidhur me këtë, analisti thotë se një koalicion i tillë do ta dërgojë LDK-në në një rënie pa kthim.
“Çdo koalicion i LDK-së me VV do ta sjellë LDK-në në një rënie që s’ka kthim, sepse problemi i Kurtit nuk është Lumiri e Vjosa, por është elektorati i LDK-së. Ky skenar, në një të ardhme, mund ta ndajë skenën politike në dysh, mes VV-së dhe PDK-së, por kjo do të varet nga mënyra se si do të veprojë LDK-ja sot”, ka vlerësuar Muhaxheri për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me raportimet për një marrëveshje mes dy partive, ai thotë se ajo është një ‘armë’ që Kurti ia ka dhënë Abdixhikut për t’i joshur delegatët e tij që ka mbështesin në Kuvendin e jashtëzakonshëm.
“Sa i përket marrëveshjes eventuale të koalicionit, mendoj se është një armë që Kurti ia ka dhënë Abdixhikut për t’i joshur delegatët e tij në kuvendin që do të mblidhet për shkarkimin e tij. Pra, mund të ketë të vërteta dhe mund edhe të jenë ndarë pozitat, por vazhdoj të mendoj se është një lojë e Kurtit, në të cilën kanë rënë Lumiri dhe Vjosa”, ka deklaruar Arton Muhaxheri./Gazeta Blic/


