Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se është dorëzuar kërkesa zyrtare për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq.
Sipas Kamberit, iniciativa është ndërmarrë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, ndërsa asaj i janë bashkuar edhe 47 deputetë të tjerë të opozitës, duke e çuar numrin e nënshkruesve në 53.
Në kërkesën e dorëzuar kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut, kërkohet që ai t’i propozojë Kuvendit Popullor shkarkimin e Paunoviqit pas deklaratave të saj, për të cilat opozita vlerëson se kanë arsyetuar spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve të nëntëdhjeta.
“Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka paralajmëruar se, nëse kryeministri Macut refuzon ta propozojë shkarkimin e ministres, atëherë do të mbajë përgjegjësi politike për vazhdimin e mandatit të saj dhe për, siç është shprehur, “normalizimin e një politike të tillë brenda qeverisë së Serbisë”.
Kamberi ka kritikuar gjithashtu partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Serbi, duke thënë se ato nuk e mbështetën iniciativën për shkarkimin e Paunoviqit.
“Shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit”, ka theksuar ai.


