Analisti Fitim Mulolli ka deklaruar se projekti për sjelljen e gazit amerikan në Kosovë pritet të konkretizohet pas 5-6 vitesh, duke theksuar se SHBA-ja do të mbështeste vendin me investime infrastrukturore nëse pranohet ky projekt.
Sipas tij, çështja nuk është vetëm energjetike, por edhe gjeopolitike. Mulolli vlerëson se refuzimi i gazit amerikan nuk nënkupton refuzimin e një kompanie apo burimi energjie, por të orientimit properëndimor të Kosovës.
Ai shtoi se gazi duhet parë si një investim strategjik afatgjatë, me rëndësi që shkon përtej përfitimeve të menjëhershme ekonomike.
“Edhe ashtu gazi amerikan është një projekt që ndoshta konkretizohet pas 5-6 viteve, me investimet që do të bëhen. Sigurisht që në qoftë se Kosova vendos ta pranojë gazin amerikan, atëherë do të ketë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në aspektin e infrastrukturës dhe investimeve për të sjellë gazin gazin në Kosovë. Mirëpo rëndësia e saj është gjithashtu rëndësia gjeopolitike, orientimit properëndimor apo pro-lindor. Refuzimi i gazit pra nuk është refuzim i një materiali kimik apo i një kompanie amerikane që e sjell atë gaz. Është refuzim i orientimit properëndimor në aspektin gjeopolitik. Prandaj gazi nuk është diçka që shihet brenda dy viteve apo tre, po duhet të jetë brenda në aspektin strategjik brenda 5-6 viteve apo më shumë”, tha Mulolli për GazetaBlic.


