Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se dekorimi u bë në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot pata kënaqësinë ta dekoroj me Medaljen Presidenciale Ushtarake Kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim të mandatit të tij si Atashe i Mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, e falënderova për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve tona”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.


