Sporti

Vllaznia fiton ndaj Malishevës në përballjen e skuadrave shqiptare në Conference League

07/09/2026 21:54
nga:Mergim Rreci

Vllaznia e Shkodrës ka fituar ndeshjen e parë ndaj Malishevës në kuadër të raundit të parë kualifikues të UEFA Conference League, duke triumfuar me rezultatin 2:1 dhe duke marrë avantazhin para sfidës së kthimit.

Takimi ishte i luftuar nga fillimi deri në fund, me të dyja skuadrat që krijuan raste për shënim dhe zhvilluan një ndeshje me ritëm të lartë, transmeton GazetaBlic Sport.

Malisheva kaloi në epërsi falë super golit të Xhylanit, i cili realizoi për t’i dhënë avantazhin skuadrës kosovare. Megjithatë, Vllaznia reagoi shpejt dhe arriti të përmbysë rezultatin.

Fillimisht ishte Qato ai që riktheu baraspeshën, ndërsa më pas Musta realizoi golin e fitores, duke vulosur triumfin 2:1 për skuadrën shkodrane.

Me këtë fitore, Vllaznia hedh një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në raundin e dytë të Conference League, megjithëse gjithçka mbetet e hapur dhe do të vendoset në ndeshjen e kthimit, ku Malisheva do të kërkojë të përmbysë disavantazhin dhe të mbajë gjallë ëndrrën evropiane.

/GazetaBlic Sport/