Lajme

Gjini: Rritja ekonomike 4% nuk mjafton, Kosova ka nevojë për ndryshim të politikave

07/08/2026 13:43
nga:Genita C

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se parashikimi i FMN-së për një rritje ekonomike prej rreth 4% nuk duhet të shërbejë për triumfalizëm politik, pasi, sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në rajon për GDP për kokë banori, raporton GazetaBlic.

Ai tha se rritja aktuale bazohet kryesisht në konsum dhe remitanca, e jo në prodhim e eksporte, duke kërkuar ndryshim të menjëhershëm të politikave ekonomike me fokus në mbështetjen e prodhuesve vendorë, investimet dhe krijimin e vendeve të punës.

Postimi i plotë:

Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një rritje ekonomike prej rreth 4% në vitet e ardhshme për Kosovën, kërkojnë një analizë të ftohtë dhe larg triumfalizmit politik.

Zhvillimi i një vendi nuk mund të matet me interpretime sipërfaqësore të shifrave, kur realiteti i qytetarëve tanë flet ndryshe.
Kosova sot ka një GDP për kokë banori prej rreth 7,900 dollarësh, duke mbetur e fundit në rajon. Për krahasim, Shqipëria qëndron në 11,230 dollarë, Maqedonia e Veriut në 10,550, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë kaluar pragun e 14,000 dhe 15,000 dollarëve. Mesatarja e Bashkimit Evropian prej mbi 40,000 dollarësh tregon se hendeku ynë është ende i thellë.

Nëse mjaftohemi me këtë rritje prej 4%, e cila fatkeqësisht nuk buron nga industria apo eksportet, por nga konsumi i brendshëm dhe remitancat, ne vetëm po mbijetojmë, nuk po zhvillohemi. Matematika ekonomike është kokëfortë.

Nëse marrim parasysh që edhe vendet e rajonit vazhdojnë të rriten me ritmet e tyre aktuale:

* Kosovës do t’i duhen 8 vjet vetëm për të arritur Bosnjën dhe Hercegovinën.
* 13 vjet për të arritur Maqedoninë e Veriut.
* Do të na duhen 20 vjet për të arritur Shqipërinë.
* 54 vjet për të arritur Malin e Zi.
* Duhen 77 vjet për të arritur Serbinë.
* Dhe mbi 130 vjet për të mbërritur te mesatarja e familjes evropiane ku synojmë të bëhemi pjesë.

Inflacioni i lartë i viteve të fundit ka gërryer fuqinë blerëse të familjeve tona, duke bërë që kjo “rritje në letra” të mos ndihet në xhepat e qytetarëve. Kjo qasje e kësaj qeverie nuk garanton asgjë tjetër, pos zbrazjes së Kosovës. Kosova nuk ka nevojë për statistika që përdoren si mburojë politike, por për një kthesë radikale strukturore: mbështetje reale për prodhuesit vendor, investime në teknologji, krijim të vendeve të punës me vlerë të shtuar dhe rritje të eksporteve.

Kënaqësia me pak është rreziku më i madh për të ardhmen tonë ekonomike. Është koha të kalojmë nga ekonomia e konsumit afatshkurtër, në ekonominë e prodhimit afatgjatë. Politikat tona e garantojnë rrotullimin e kësaj situate për drejtim të mbarë. Prandaj, ne në Aleancë kërkojmë ndryshim të menjëhershëm të politikave ekonomike.