Lajme

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, analistët paralajmërojnë proces pa bllokada!

07/06/2026 21:24
nga:Genita C

Analisti politik Halil Matoshi vlerëson se nuk pret pengesa në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në seancën e ardhshme, duke u thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit i takon partisë së parë, ndërsa edhe përgjegjësia për krijimin e institucioneve stabile bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje.

“Jo. Gjykata Kushtetuese i ka dhënë zgjidhje adekuate kësaj çështje. Propozimi në të gjitha rrethanat i takon partisë së parë. Edhe nënkryetarët zgjidhen me atë hov, në pako. Albin Kurti do t’i japë përgjigje publikut nëse sivjet i jep institucione stabile vendit ose jo, me rendin e gjërave. Vetëm interesat e tij mund të derivojnë pushtet ose zgjedhje. Grupet oponente politike janë të pafuqishme për çkadoqoftë, pra edhe për bllokadë”, tha Matoshi për GazetaBlic.

Shqipe Pantina, ka deklaruar se nuk ka dëgjuar ndonjë qëndrim nga partitë politike që synon pengimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në seancën që pritet të mbahet në mesin e korrikut.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje së bashku me partitë e komuniteteve joserbe i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

“Nuk kam dëgjuar se ndonjë nga partitë politike ka deklaruar se do ta pengojë zgjedhjen e kryetarit, respektivisht konstituimin e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partitë e komuniteteve joserbe, i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, por arsyeja pse vendi shkoi në zgjedhje në qershor ishte Presidenti e jo Qeveria. Prandaj, LVV-ja duhet të bëjë marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e Presidentit”, tha Pantina për GazetaBlic.

Branislav Krstic, ka deklaruar se pret që procesi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të zhvillohet pa pengesa dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, duhet të respektohen praktikat e mëhershme të konstituimit të institucioneve, përfshirë edhe përfaqësimin e komuniteteve.

“Unë pres që zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të zhvillohet pa pengesa të panevojshme, ashtu si ndodhi edhe në konstituimin e legjislaturës së kaluar, kur u respektua interpretimi i Gjykatës Kushtetuese dhe posti i nënkryetarit që i takon komunitetit serb iu dha Listës Serbe. Besoj se shkelja e Kushtetutës ose mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet t’i përkasin përfundimisht së kaluarës. Çdo veprim ndryshe do të ishte një hap prapa për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke minuar besimin e qytetarëve në institucionet e Kosovës.”, tha Krstic për GazetaBlic.

Besa Gaxherri, ka deklaruar se zgjidhja e ngërçit politik dhe procesi i konstituimit të Kuvendit varet nga vullneti politik i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas saj, nëse procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pa një marrëveshje me partitë opozitare, vendi rrezikon të vazhdojë me krizë politike.

“I tërë procesi varet nga vullneti politik i zt. Kurti. Nëse shkohet drejt në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pa marrëveshje politike me ndonjërën parti opozitare, unë mendoj se do të kemi vazhdim të krizës politike deri në përsëritjen e zgjedhjeve”, tha Gaxherri për GazetaBlic.