Lajme

Isufaj: Së shpejti finalizohen hetimet për rastin e sulmit ndaj familjes Jashari

07/06/2026 16:24
nga:Genita C

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, bëri të ditur se hetimet për sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz, të zhvilluar në vitin 1998, pritet të mbyllen në një afat të shkurtër.

Gjatë një konference për media të mbajtur të hënën, Isufaj theksoi se bëhet fjalë për një rast tepër të ndjeshëm, i cili kërkon kujdes të veçantë gjatë trajtimit.

“Hetimet në rastet që lidhen me lagjjen dhe familjen Jashari, së shpejti do të finalizohen”, tha Isufaj.

“Hetimi do të përfundojë shumë shpejt, pastaj të shohim. Ky hetim është shumë sensitiv, shumë i ndjeshëm dhe kërkon maturi. Thjesht, ne po e bëjmë atë punë. Nuk mund të them asgjë më tepër, përveçse hetimi është në përfundim”, u shpreh Isufaj.

Duke prezantuar bilancin e punës së Prokurorisë Speciale për vitin e fundit, ai veçoi edhe dy aksione të rëndësishme që lidhen me hetimin e krimeve të luftës.

“Vlen të përmendet se këtë vit janë realizuar dy operacione të rëndësishme lidhur me krimet e luftës. Në këtë drejtim, në rastet që lidhen me Masakrën e Reçakut janë arrestuar pesë persona si të dyshuar për krime të luftës. Po ashtu, pesë persona janë arrestuar si të dyshuar për rastin e Syriganës në Skenderaj”, tha Isufaj.