Lajme

Gjini: Ky pushtet e sheh prodhuesin vendor si armik

07/02/2026 20:08
nga:L J

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas mbylljes së qumështores Vita, duke kritikuar ashpër veprimet e institucioneve.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se “Sot u vërtetua edhe njëherë se ky pushtet e sheh prodhuesin vendor si armik”, duke shtuar se mbyllja e qumështores Vita ka lënë qindra punëtorë pa punë dhe mijëra fermerë kosovarë në udhëkryq.

Ai e cilësoi absurde, sipas tij, largimin e një prodhuesi vendor nga raftet e marketeve, duke thënë se në këtë mënyrë po u lihet hapësirë produkteve me origjinë nga Serbia.

Gjini po ashtu deklaroi se “kontrolli i ushqimit duhet të bëhet në vazhdimësi e jo një herë në 6 vite për qëllime politike”, ndërsa u bëri thirrje institucioneve që ta sqarojnë menjëherë këtë rast dhe të gjejnë zgjidhje që puna në qumështoren Vita të rifillojë sa më parë.

Në fund, ai shprehu mbështetje për të gjitha familjet e prekura.