Ish-Presidenti dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në një intervistë për Front Online ka folur për zhvillimet politike në vend, rezultatin e zgjedhjeve, mungesën e kompromisit politik dhe krizën e përsëritur rreth zgjedhjes së Presidentit.
Ai thekson se Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe se Presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët për të shmangur bllokadat politike.
Ish-Presidenti dhe ish-ministri i Jashtëm Pacolli thotë se shërbimi ndaj Kosovës nuk ka qenë kurrë çështje posti, por përgjegjësi shtetërore.
Ai nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në Presidencë, por vetëm në kushte të qarta kushtetuese.
“Për mua, shërbimi ndaj Kosovës ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi, jo çështje posti. Nëse një ditë do të ekzistonte një konsensus i gjerë politik dhe qytetar se unë mund t’i shërbeja vendit në atë detyrë, sigurisht që do ta konsideroja. Por, vetëm mbas ndryshimeve kushtetuese duke ju nënshtruar votës së qytetarëve e jo pazareve të partive politike. Sot besoj se më e rëndësishme se emrat është ndërtimi i institucioneve funksionale dhe ruajtja e unitetit të vendit. Kosova ka nevojë për stabilitet, për bashkëpunim dhe për një vizion të përbashkët për të ardhmen”, tha ai kur u pyet nga Front Online nëse do ta pranonte një propozim të tillë.
Ish-Presidenti Behgjet Pacolli vlerëson se zgjedhjet kanë nxjerrë një fitues relativ, por jo një shumicë të qartë qeverisëse.
Sipas tij, qytetarët kanë kërkuar bashkëpunim dhe kompromis ndërmjet partive politike.
“Mendoj se fituesi relativ i zgjedhjeve është forca politike ( VV) që ka marrë më së shumti vota, sepse qytetarët i kanë dhënë besimin më të madh. Megjithatë, kur askush nuk arrin shumicën për të qeverisur i vetëm, atëherë rezultati është edhe një mesazh i qartë: qytetarët kanë kërkuar bashkëpunim dhe kompromis. Në këtë kuptim, humbës nuk është vetëm partia që ka marrë më pak vota, por është çdo subjekt politik që nuk arrin ta kuptoj këtë fakt dhe vazhdon ta vendosë interesin partiak mbi interesin e Kosovës. Rezultati prodhoi një fitues elektoral, por jo një fitues absolut”, tha ai.
Ish-Presidenti Behgjet Pacolli thotë se zgjedhjet nuk mjaftojnë për të zgjidhur ngërçin politik, nëse mungon vullneti i klasës politike për kompromis.
“Vetëm zgjedhjet nuk prodhojnë zgjidhje. Zgjidhjen e prodhojnë politikanët. Nëse vazhdohet me logjikën e përjashtimit dhe të vijave të kuqe, atëherë edhe zgjedhjet e ardhshme mund të prodhojnë të njëjtin rezultat. Kosovës i duhen institucione funksionale, sepse sfidat ekonomike, integrimet euroatlantike dhe dialogu me Serbinë nuk mund të presin pafundësisht. Edhe partnerët ndërkombëtarë kanë theksuar nevojën për institucione stabile dhe kompromis politik“, u shpreh Pacolli.
Ish-Presidenti Pacolli u bën thirrje partive politike që të vendosin interesin e Kosovës mbi interesat partiake.
“Do t’u bëja thirrje të gjithëve që ta vendosin Kosovën mbi partitë politike. Demokracia nuk matet vetëm me fitimin e zgjedhjeve, por edhe me aftësinë për të ndërtuar institucione. Kompromisi nuk është dobësi; në politikë ai shpesh është forma më e lartë e përgjegjësisë shtetërore. Qytetarët nuk presin konflikte të pafundme politike, por zgjidhje konkrete për jetën e tyre”, tha ai.
Ish-ministri i Jashtëm Pacolli thotë se zgjedhja e Presidentit kërkon konsensus të gjerë politik dhe duhet të paraprihet nga dialogu ndërpartiak.
“Kushtetuta kërkon një konsensus të gjerë për zgjedhjen e Presidentit. Pikërisht për këtë arsye, dialogu politik duhet të fillojë shumë përpara momentit të votimit. Presidenti duhet të jetë faktor uniteti dhe stabiliteti, jo shkaktar i krizave të reja institucionale. Përvoja ka treguar se mungesa e marrëveshjes rreth Presidentit mund të çojë në bllokim institucional”, u shpreh Pacolli.
Ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli rikujton se ideja për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit nga qytetarët nuk është e re, por një iniciativë e hershme e tij politike.
Ai rikujton se këtë reformë e kishte iniciuar që në vitin 2007 si pjesë të programit politik të AKR-së, por, sipas tij, ajo nuk mori mbështetjen e partive të tjera dhe përfundoi në harresë.
“Kjo është një ide që unë e kam propozuar që në vitin 2007. Po ishte një nga shtyllat kryesore të programit politik të AKR-së. Fatkeqësisht, në atë kohë nuk gjeti mbështetjen e partive të tjera.Ky propozim e meritonte dhe vazhdon ta meritojë një debat serioz institucional. Por, në atë periudhë, interesat personale dhe partiake të shumë akterëve politikë mbizotëruan mbi interesin shtetëror të Kosovës, ndaj reforma të tilla mbetën në sirtar’’.
Ish-Presidenti Pacolli thotë se zhvillimet e viteve të fundit vetëm sa kanë dëshmuar se mosrealizimi i kësaj reforme ka prodhuar kriza të përsëritura institucionale.
‘’Madje, me kërkesën time, kjo iniciativë ishte edhe një nga zotimet e liderëve politikë të asaj kohe. Në vitin 2011, kur u tërhoqa nga posti i Presidentit për hir të stabilitetit institucional dhe të interesit të Kosovës, u premtua se do të ndërmerrej një nismë për ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët.Për këtë qëllim u formuan edhe komisione parlamentare. Fatkeqësisht, ashtu si shumë reforma të tjera të rëndësishme, edhe kjo nismë u relativizua, u banalizua dhe në fund u la në harresë“, tha Pacolli.
Ish-Presidenti Pacolli thotë se zgjedhja e Presidentit nga qytetarët do të rriste legjitimitetin demokratik dhe do të shmangte krizat institucionale, por duhet shoqëruar me ndryshime kushtetuese.
Ai shprehet i bindur se zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët do t’i jepte këtij institucioni legjitimitet më të fuqishëm demokratik dhe do të shmangte ngërçet politike, duke theksuar njëkohësisht se një reformë e tillë duhet të shoqërohet edhe me rishikimin e kompetencave kushtetuese për të ruajtur balancën ndërmjet institucioneve të shtetit.
“Sot, pas kaq vitesh, krizat e përsëritura rreth zgjedhjes së Presidentit dëshmojnë se ai ishte një reformim i domosdoshëm, i cili nuk duhej të ishte shtyrë.Sot po i shohim pasojat e atij mosveprimi. Krizat e përsëritura institucionale dhe vështirësitë në zgjedhjen e Presidentit tregojnë se sistemi ka nevojë për një reflektim serioz. Unë vazhdoj të besoj se zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga qytetarët do t’i jepte këtij institucioni një legjitimitet të fuqishëm demokratik dhe do të shmangte bllokadat politike. Natyrisht, një ndryshim i tillë duhet të shoqërohet me një rishikim të kujdesshëm të kompetencave kushtetuese, në mënyrë që të ruhet ekuilibri ndërmjet institucioneve të shtetit“, tha ai.
Ish-Presidenti Pacolli thekson se Presidenti nuk duhet të jetë figurë përplasjeje politike, por personalitet unifikues për gjithë shoqërinë.
“Nuk do të doja të përmendja emra. Mendoj se Kosova ka personalitete të respektuara, si në politikë ashtu edhe jashtë saj. Më e rëndësishmja është që Presidenti të jetë figurë unifikuese, me integritet moral, përvojë shtetformuese, kredibilitet ndërkombëtar dhe aftësi për të bashkuar qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike”, tha Pacolli.


