Ish-deputeti i Lidhje Demokratike të Kosovës, Blerim Grainca, ka folur në lidhje me kërkesat e ardhura nga dy degë të LDK-së përkatësisht ajo e Pejës dhe Lipjanit për dorëheqjen e Abdixhikut nga kryetar i këtij subjekti politik.
Grainca në një intervistë dhënë për dokumentarin ‘Expose’ se i konsideron si thirrje dhe debat normal brenda një subjekti politik i cili i ka humbur zgjedhjet.
Ai tha se dorëheqja e Abdixhikut do t’i kontribuonte Lidhjes Demokratike dhe unitetit të brendshëm të partisë.
“Unë e konsideroj si thirrje normale, si një debat normal që do të duhej të zhvillohej brenda një subjekti politik i cili ka humbur zgjedhjet, por këto dy kërkesa dhe kërkesa të tjera që janë nga Prishtina dhe nga shumë struktura të LDK-së janë si rezultat i dy elementëve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. E para keqmenaxhimi i LDK-së nga zoti Abdixhiku dhe e dyta rezultati i dobët zgjedhor. Prandaj këto dy pika të përbashkëta kanë sjell në një temë e cila është bërë mjaft aktuale dhe që është dorëheqja e zotit Abdixhiku që mendoj se do t’i kontribuonte Lidhjes Demokratike dhe unitetit të brendshëm të partisë” deklaroi Grainca.
Ish-deputeti Grainca tha se Abdixhiku me të gjitha veprimet e tij i kontriboi përqarjes së LDK-së duke larguar nga ky subjekt politik aktivistë që ishin ‘trungu’ i kësaj partie.
“Jo që nuk ndodhi bashkimi i madh por zoti Abdixhiku me të gjitha veprimet e tij i kontribuoi përqarjes në Lidhjen Demokratike të Kosovës duke ndjekur dhe larguar nga LDK-ja të gjithë ato struktura dhe aktivistë që ishin ‘trungu’ i Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i krijuar hapësirë dhe mundësi vetëm njerëzve të cilët në të kaluarën e kanë luftuar fuqishëm LDK-në dhe nëse i shihni sot bashkëpunëtorët më të ngushtë të zotit Abdixhiku e që janë humbësit më të mëdhenj në këto zgjedhje, ata kryesisht janë njerëz që e kanë sharë, fyer dhe përndjekur LDK-në dhe i kanë sjellë dëme Koosvës edhe LDK-së në të kaluarën” tha Grainca.
Ai foli edhe për rikthimin e Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Grainca pohoi se ardhja e saj në LDK ishte për të shpëtuar Abdixhikun.
“Zonja Osmani u soll në këto zgjedhje në Lidhjen Demokratike të Kosovës nga vetë zoti Abdixhiku si një ‘joker’ për t’a shpëtuar zotin Abdixhiku i cili provoi të fshehet pas ‘fustanit’ të zonjës Osmani dhe për të shpëtuar vetveten. Ai nuk kishte guxim të përballej vetë me partitë e tjera politike prandaj e solli zonjën Osmani e cila siç e dini në të kaluarën i ka sjellë shumë dëme LDK-së dhe kjo as nuk u prit mirë dhe as nuk u manifestua me votë popullore pastaj nga vetë qytetarët e Republikës së Kosovës edhe përkundër faktit se u mbështet fuqimisht nga strukturat e LDK-së”
Ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, iu bëri thirrje të gjitha strukturave të LDK-së për unitet të brendshëm.
“Unë do t’a shfrytëzoja rastin të ftoja të gjitha strukturat e LDK-së që t’i kontribuojnë unitetit të brendshëm sepse vetëm një LDK e fortë është një garancë për një Kosovë të fortë dhe stabile sepse siç po e shihni qytetarët e Kosovës janë lodhur nga zgjedhjet” deklaroi ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, në intervistën e dhënë për dokumentarin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


