Lajme

KQZ gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare sapo të përfundojë shqyrtimi i ankesave

06/25/2026 10:44
nga:G B

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, raporton Gazeta Blic.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Gazeta Blic se KQZ-ja do të vlerësojë nëse vendimet për ankesat përmbajnë obligime konkrete që duhet të zbatohen nga ky institucion.

“KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse. Mbetet të shihet nëse vendimet e tyre përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare. Nëse këto vendime s’përmbajnë diçka të tillë, atëherë pasi bëhen të plotfuqishme, KQZ është e gatshme menjëherë t’i shpall rezultatet përfundimtare”, tha ai.

Elezi potencoi se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk nënkupton edhe përmbylljen e procesit zgjedhor, pasi subjektet politike dhe palët e përfshira kanë të drejtë të paraqesin ankesa edhe ndaj këtyre rezultateve.

“Shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyllë procesin zgjedhor, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre rezultateve. KQZ, ngjashëm si tani, duhet të presë afatin e ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime dhe pastaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, ka deklaruar Valmir Elezi./Gazeta Blic/