Një sulm me dron rus në qytetin Zaporizhzhia, në juglindje të Ukrainës, ka lënë të vdekur një person dhe ka plagosur shtatë të tjerë, njoftuan autoritetet e emergjencës të mërkurën në mëngjes.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia ka sulmuar vendin me 119 dronë gjatë natës, nga të cilët 97 janë rrëzuar. Sipas tyre, 20 dronë kanë goditur 11 lokacione të ndryshme në territorin ukrainas.
“Një zjarr shpërtheu në një ndërtesë banimi trekatëshe me sipërfaqe totale prej 800 metrash katrorë. Për shkak të rrezikut nga sulmet e vazhdueshme armike, ekipet e shpëtimit u detyruan disa herë të strehohen,” thuhet në njoftimin e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës në Telegram. Zjarri u vu nën kontroll në orët e para të mëngjesit.
Autoritetet shtuan se ndërtesa banimi, automjete dhe infrastrukturë civile janë dëmtuar në disa zona të qytetit.
Guvernatori i rajonit të Zaporizhzhias, Ivan Fedorov, tha se Rusia ka kryer pesë sulme në qytet, duke dëmtuar edhe një pjesë të Universitetit Kombëtar të Zaporizhzhias.
Sulme ruse janë raportuar edhe në rajonin e Sumy-t, ku sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Oleh Hryhorov, disa kafshë janë vrarë pasi një shkollë kalërimi u godit.
Sulmet ndodhën ndërsa liderët e G7 po përgatiteshin për ditën e fundit të samitit në Évian, ku ata shprehën mbështetje të fortë për Ukrainën dhe sovranitetin e saj.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët e G7 ritheksuan “mbështetjen e palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial”.
Ata premtuan më shumë ndihmë ushtarake, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, interceptues dhe kapacitete me rreze të gjatë veprimi.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA mund të rikthejë së shpejti sanksionet ndaj eksporteve të naftës ruse, nëse rritet lëvizja e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Lufta në Iran ka tërhequr vëmendjen nga Ukraina kohët e fundit, por Trump tha se dëshiron të rikthejë fokusin pas marrëveshjes së fundit për përfundimin e konfliktit në Gjirin Persik, shkruan Euronews.


