Kupa e Botës nuk është vetëm spektakël futbolli. Për më shumë se tri dekada, çdo edicion i turneut është shoqëruar nga këngë që kanë synuar të kapin emocionin, energjinë dhe atmosferën e ngjarjes më të madhe sportive në planet.
Nga himnet që u kthyen në fenomene globale deri te këngët që u harruan shpejt pas përfundimit të turneut, muzika e Botërorit ka lënë gjurmë të rëndësishme në kulturën pop. Së fundmi, një renditje e publikuar nga mediat ndërkombëtare ka vlerësuar këngët më të njohura të Kupave të Botës që nga viti 1990, shkruan Vogue, përcjell KultPlus.
Në fund të listës renditet “Boom” e këngëtares Anastacia, himni i Botërorit 2002 në Japoni dhe Korenë e Jugut, ndërsa “Live It Up” nga Nicky Jam, Will Smith dhe Era Istrefi, kënga e Botërorit 2018 në Rusi, pozicionohet në vendin e nëntë.
Në mesin e renditjes gjenden këngë si “The Time of Our Lives” nga Il Divo dhe Toni Braxton (2006), “Un’estate italiana” nga Edoardo Bennato dhe Gianna Nannini (1990), si dhe “Hayya Hayya (Better Together)” nga Trinidad Cardona, Davido dhe AISHA, një nga këngët kryesore të Botërorit Katar 2022.
Në pesëshen më të mirë përfshihen “Gloryland” nga Daryl Hall dhe Sounds of Blackness, si dhe “Dai Dai”, kënga e Botërorit 2026 e interpretuar nga Shakira dhe Burna Boy, e cila po fiton vëmendje të madhe para zhvillimit të turneut në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Vendin e tretë e zë “Ole Ola (We Are One)” nga Pitbull, Jennifer Lopez dhe Claudia Leitte, himni i Kupës së Botës 2014 në Brazil.
Në pozitën e dytë renditet një nga këngët më të famshme të historisë së futbollit, “Waka Waka (This Time for Africa)” nga Shakira dhe Freshlyground, e cila u bë simbol i Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut dhe mbetet një nga këngët sportive më të dëgjuara të të gjitha kohërave.
Megjithatë, sipas kësaj renditjeje, vendi i parë i takon Ricky Martinit me “Cup of Life (La Copa de la Vida)”. Edhe pse nuk ishte himni zyrtar i Botërorit 1998 në Francë, kënga u kthye në një fenomen global dhe vazhdon të konsiderohet si një nga kolonat zanore më ikonike në historinë e Kampionateve Botërore.
Me afrimin e Kupës së Botës 2026, debati për këngën më të mirë të turneut rikthehet sërish, por për shumë adhurues të futbollit dhe muzikës, “Waka Waka” dhe “Cup of Life” mbeten standardi me të cilin krahasohen të gjitha himnet e tjera të Botërorit./KultPlus.com
