Lajme

“Tregun e mallrave ia dha Serbisë, energjinë po ashtu” – Haradinaj për Kurtin: Çka don ky njeri nga Kosova?

06/14/2026 09:21
nga:Genita C

Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin për politikat e tij në fushën e tregtisë dhe energjisë, raporton GazetaBlic.

Haradinaj kujtoi se në vitin 2018 kishte vendosur taksën 100% ndaj mallrave serbe, e cila u hoq nga Qeveria Kurti në vitin 2020.

Ai po ashtu tha se projekti energjetik me ContourGlobal dhe projekti amerikan i gazit u anuluan gjatë qeverisjes së Kurtit.

Sipas Haradinajt, këto vendime kanë rritur varësinë e Kosovës nga importet e energjisë dhe kanë favorizuar tregun serb.

Ai ngriti pyetje mbi qëndrimin e Kurtit ndaj projekteve amerikane në sektorin energjetik.

Postimi i plotë:

Më 21 nëntor 2018, si Kryeministër i Qeverisë Haradinaj, vendosa taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë.

Më 1 prill 2020, Albin Kurti e hoqi taksën dhe e hapi tregun për mallrat serbe.

Më 20 dhjetor 2017, nënshkrova projektin me ContourGlobal për ta bërë Kosovën të pavarur energjetikisht nga Serbia.

Në vitin 2020, Albin Kurti e anuloi këtë projekt, duke i hapur derën importit të rrymës nga mafia energjetike e kontrolluar nga Serbia.

Në vitet 2021–2022, Kurti refuzoi edhe projektin amerikan të gazit.

Më 14 qershor 2026, mediat raportojnë për dhjetëra kamionë me mallra nga Serbia që presin të hyjnë në Kosovë. Ndërkohë, vetëm gjatë vitit të kaluar, Kosova importoi energji elektrike në vlerë prej rreth 259 milionë euro.

Tash, kur është riaktualizuar çështja e gazit, njerëzit e tij po përgatiten për protesta kundër gazit amerikan.

Kush është ky njeri? A është me të vërtetë kundër gazit apo kundër Amerikës? Tregun e mallrave ia dha Serbisë, ndërsa tregun energjetik po ia garanton.

Çka don ky njeri nga Kosova?