Lajme

Begolli: Rritja e numrit të skuadrave nuk e rrit cilësinë e Botërorit, por u jep shans kombëtareve më të vogla

06/12/2026 23:07
nga:Mergim Rreci

Trajneri kosovar Granit Begolli ka komentuar formatin e ri të Kupës së Botës.

Duke folur në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin, ai vlerësoi se zgjerimi i numrit të pjesëmarrësve është bërë kryesisht për ta popullarizuar edhe më shumë kompeticionin më të madh të futbollit.

Sipas tij, rritja e numrit të skuadrave nuk ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e turneut, por u krijon mundësi të reja kombëtareve që tradicionalisht kanë pasur vështirësi të sigurojnë kualifikimin.

“Rritja e numrit të skuadrave në Kupën e Botës është bërë për ta bërë këtë kompeticion edhe më gjithëpërfshirës. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e cilësisë, por është një mundësi e mirë për kombëtaret më të vogla që të realizojnë ëndrrën e pjesëmarrjes në turneun më të madh të futbollit. Për disa prej tyre, kualifikimi në Botëror përbën një arritje historike”, tha Begolli.

Megjithatë, ai theksoi se jo të gjitha kombëtaret e kanë pritur pozitivisht këtë ndryshim, veçanërisht ato që synojnë trofeun.

“Kombëtaret e mëdha nuk janë shumë të lumtura me këtë format, pasi Kupa e Botës është zgjatur me rreth 15 ditë krahasuar me edicionet e mëparshme. Futbollistët e ekipeve favorite vijnë pas një sezoni jashtëzakonisht të ngarkuar, ku shumë prej tyre kanë luajtur deri në fund të garave më prestigjioze evropiane, si Liga e Kampionëve”, u shpreh ai.

Sipas Begollit, ngarkesa fizike është e madhe, por shpërblimi e justifikon sakrificën.

“Është një sezon shumë i gjatë dhe i lodhshëm për futbollistët, por kur bëhet fjalë për Kupën e Botës, sakrifica ia vlen. Në fund, po flasim për kompeticionin më të madh në futboll, ku fituesi hyn përgjithmonë në histori”, përfundoi Begolli.

/GazetaBlic/