Sporti

Scaloni shtyn vendimin kyç për kompletimin e skuadrës

06/11/2026 10:32
nga:Mergim Rreci

Misteri rreth listës përfundimtare të Argjentinës në Kupën e Botës po thellohet, ndërsa trajneri Lionel Scaloni nuk po nxiton të shpallë zëvendësuesin e mbrojtësit të dëmtuar Leonardo Balerdi. Tensioni po rritet teksa afrohet afati përfundimtar i dorëzimit të skuadrës.

Mbrojtësi i Marseille pësoi një dëmtim në pulpë në këmbën e djathtë dhe u konfirmua se do të mungojë në turne. Fillimisht, Scaloni kishte deklaruar se emri i zëvendësuesit do të bëhej i ditur menjëherë pas miqësores me Islandën, por pas ndeshjes ai ndryshoi qëndrim dhe vendosi të marrë më shumë kohë.

“A thashë nesër? Ndoshta do të marr një ditë tjetër. Kemi një ide, por ndoshta do të na duhen edhe një ose dy ditë,” u shpreh trajneri argjentinas, duke lënë gjithçka të hapur.

Brenda stafit teknik, sipas raportimeve, Scaloni po heziton mes dy alternativave kryesore: Guido Rodriguez dhe Nicolas Capaldo. Capaldo, i cili mund të luajë si mbrojtës i djathtë dhe qendërmbrojtës, është tashmë pjesë e kampit stërvitor të Argjentinës, ndërsa Rodriguez po stërvitet individualisht në pritje të një thirrjeje.

Ndërkohë, disa emra të tjerë si Agustin Giay, Marcos Senesi dhe Emi Buendia duket se janë jashtë planeve për këtë zëvendësim.

Sipas rregulloreve të FIFA-s, Argjentina ka afat deri më 15 për të dorëzuar ndryshimin zyrtar në listë, vetëm një ditë para ndeshjes hapëse të “Gauços” në turne kundër Algjerisë.

/GazetaBlic Sport/