Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 7 qershorit arriti të marrë numër më të vogël votash se në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit megjithëse përqindja iu rrit.
Më 7 qershor, PDK, i mori 21.13% ndërsa në dhejtor i kishte 20.98%.
Komunat në të cilat humbi më shumë vota, PDK-ja, ishin Drenasi, Skënderaj, Prizreni dhe Ferizaj, komuna me të cilat udhëheq ky subjekt politik.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se do të bëjnë analiza për shkaqet e këtyre rezultateve.
“Na kemi humb më së shumti votë në katër komunat që i udhëheqim në nivel komunal: në Prizren, Ferizaj, Skenderaj dhe Drenas. Unë nuk i fshehem përgjegjësisë. Ne do të bëjmë analiza për arsyer se pse kemi humbur votat dhe do t’i adresojmë shkaktarët” deklaroi Hamza në një konferencë për media raporton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me këtë rezultat të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka folur për “Gazeta Blic” kryetari i komunës së Drenasit, i cili vjen nga radhët e këtij subjekti politik, Ramiz Lladriovci.
Lladrovci tha se një rezultat të tillë e ka parë me zhgënjim, në nivel lokal, për faktin se ka largim të madh të rinisë të cilët nuk po gjejnë hapësirë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë, pavarësisht se ka rritje të përqindjes së fitores.
Po ashtu Lladrovci tha se me zhgënjim e ka parë edhe rezultatin në nivel nacional të PDK-së, për shkak të paaftësisë që sipas tij PDK-ja ka patur për të bërë opozitë këto gjashtë vite.
“Rezultatin e pash me zhgënjim për shumë arsye, nga pozita e kryetarit të komunës, në bastionin e pathyeshëm të PDK-së.E pranova rezultatin me zhgënjim, sepse, Komuna e Drenasit ashtu si krejt Kosova, po tkurret, rinia nuk po e gjen hapësirën e duhur të jetojë e të punojë në vendlindje dhe po shpërngulet. Prandaj, kemi ulje të numrit të votuesve, ndërsa tek ne, kemi ngritje të përqindjes së fitores.Me zhgënjim e pranova këtë rezultat në nivel nacional, për shkak të paaftësisë tonë si PDK, për të bërë opozitë për gjashtë vjet, pa arritur ti themi qytetarëve, çka na pret në mandatin katërvjeçar nëse vazhdon kjo qeverisje, etj.Qytetari në nivel vendi e votoi partinë e cila nuk e realizoi asnjë projekt kapital me domethënie në nivel vendi e as në Drenas për gjashtë vjet. Fitoi partia e cila falë peshk, por, nuk po e aftëson qytetarin të zëjë peshk, si dhe shkaqet tjera, të pavlerësuara sa duhet” deklaroi Lladrovci për “Gazeta Blic”.
Po ashtu, Lladrovci, u shpreh i zhgënjyer nga selia qëndrore, kryetari i këtij subjekti politik dhe kryesia pasi sipas tij nuk po zbatohet barazia ndaj degëve.
Ai potencoi se ‘Drenasin e trajtojnë si hambar të votave, duke mos vlerësuar besnikërinë e qytetarëve, simpatizantëve dhe aktivistëve me dekada të Drenasit ndaj misionit e vizionit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit’.
Lladrovci tha se për Drenasin janë të fundit që i marrin vesh ‘strategjitë e PDK-së’.
Ai pohoi se duhet të ndryshojë mendësia që dega e PDK-së Drenas duhet të japë gjithçka dhe trajtohet si borxhli i përjetshëm.
“Zhgënjimin e përjetova po ashtu me arsye, sepse, selia qendrore, kryetari dhe kryesia, nuk po e zbaton barazinë ndaj Degëve.Edhe pas 26 vjetëve, qytetarëve të Drenasit nuk i ofrohet ajo që e meriton, së paku respektin ndaj votuesve dhe aktivistëve. Drenasin e trajtojnë si hambar të votave, duke mos vlerësuar besnikërinë e qytetarëve, simpatizantëve dhe aktivistëve me dekada të Drenasit ndaj misionit e vizionit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.Për Drenasin, jemi të fundit që i marrim vesh strategjitë e PDK-së, e të mos them se dega e PDK-së në Drenas me pesë kandidatët e saj për Kuvend, nuk e morën përkrahjen e merituar, qoftë për arritjet apo të meritave për fitoret e njëpasnjëshme nga themelimi i PDK-së, deri sot.Pra, dega e PDK-së në Drenas, duhet të japë gjithçka dhe të trajtohet si borxhli i përjetshëm, kjo mendësi duhet të ndryshojë. Për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje dhe për të korrë fitore me më shumë vota dhe përqindje, duhet ndryshuar qasja dhe përfaqësuesit e PDK-së ndaj degëve në krejt Kosovën si dhe në Drenas, me qytetarët dhe votuesit besnik, patjetër duhet të kenë trajtim e vlerësim meritor me shumë falënderime dhe mirëkuptim” deklaroi Lladrovci në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


