Sporti

Juventusi arrin marrëveshje me Emiliano Martinez

06/10/2026 15:50
nga:Mergim Rreci

Juventusi është shumë pranë finalizimit të një transferimi të rëndësishëm në prag të Kupës së Botës. Sipas raportimeve të gazetarit të njohur italian, Gianluca Di Marzio, bardhezinjtë kanë arritur marrëveshje me portierin e Aston Villas, Emiliano Martinez, i cili pritet të bëhet pjesë e skuadrës torineze në ditët në vijim.

Burimet bëjnë me dije se palët kanë rënë dakord për një kontratë trevjeçare, ndërsa kanë mbetur për t’u zgjidhur vetëm disa detaje përpara zyrtarizimit të transferimit. Për të realizuar kalimin në Torino, portieri argjentinas raportohet se ka pranuar edhe një ulje të pagës së tij aktuale.

Martinez, 33 vjeç, është një nga emrat më të njohur në rolin e portierit në futbollin europian. Ai iu bashkua Aston Villas në vitin 2020 dhe që atëherë është shndërruar në një nga lojtarët kyç të skuadrës angleze.

Gjatë sezonit 2025/26, kampioni i botës me Argjentinën regjistroi 44 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke pësuar 49 gola dhe duke mbajtur portën e paprekur në 14 ndeshje. Pavarësisht interesimit të disa klubeve europiane, duket se destinacioni i tij i ardhshëm do të jetë Juventusi.

Kontrata aktuale e Martinez me Aston Villan është e vlefshme deri në verën e vitit 2029, ndërsa sipas të dhënave të Transfermarkt, vlera e tij në treg llogaritet rreth 12 milionë euro.

Nëse marrëveshja përmbyllet sipas parashikimeve, Juventusi do të sigurojë shërbimet e një portieri me përvojë të madhe ndërkombëtare, duke forcuar ndjeshëm repartin defensiv për sezonin e ardhshëm.

/GazetaBlic Sport/