Në qarqet e futbollit evropian po qarkullon një ide e fundit: një kandidaturë e përbashkët nga disa vende të Ballkanit për të pritur Kampionatin Evropian 2036, por pa Kosovën në të.
Sipas raportimit nga Dsport.bg, plani do të përfshinte vende si Kroacia, Serbia, Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, duke krijuar për herë të parë një organizim të përbashkët në një shkallë kaq të madhe në Evropë. Ideja mbetet ende në fazë spekulative dhe nuk ka konfirmim zyrtar nga UEFA, transmeton GazetaBlic Sport.
Nëse një projekt i tillë do të pranohej, ai do të shoqërohej edhe me ndryshime të mundshme në formatin e turneut, përfshirë zgjerimin nga 24 në 32 ekipe dhe një sistem të ri kualifikimi që do të kombinonte fazat e grupeve me ndeshjet e “play-off”-it përmes Ligës së Kombeve.
Megjithatë, ajo që bie në sy është se në listën e vendeve të përfolura për këtë projekt nuk është përfshirë Kosova, e cila aktualisht nuk figuron në skenarët e diskutuar publikisht për organizimin e Euro 2036.
Për momentin, gjithçka mbetet në nivel spekulimesh dhe diskutimesh paraprake, ndërsa UEFA ende nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar për organizimin e Kampionatit Evropian 2036 apo për ndonjë ndryshim të formatit të tij.
/GazetaBlic Sport/


