Edhe pse Hansi Flick është vetëm në vitin e dytë te FC Barcelona, drejtuesit e klubit katalanas duket se po planifikojnë që tani të ardhmen.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, Cesc Fabregas, është shndërruar në objektivin kryesor për të marrë drejtimin e skuadrës pas përfundimit të mandatit të Flick, transmeton GazetaBlic Sport.
Sipas gazetës AS, duke cituar informacionet e publikuara nga podcasti “Barça Reservat” i Catalunya Radio, drejtuesit katalanas kanë ndërmarrë tashmë hapa konkretë për të siguruar shërbimet e Fabregas në të ardhmen. Raporti pretendon se drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, është një nga mbështetësit më të mëdhenj të ish-reprezentuesit spanjoll.
Madje, Barcelona thuhet se ka dërguar në Como një përfaqësues të posaçëm, Alejandro Echevarría, i afërt me presidentin Joan Laporta, me qëllimin për të arritur një marrëveshje paraprake me trajnerin aktual të Como 1907. Ideja e klubit është që Fàbregas të jetë gati për të marrë drejtimin e skuadrës kur të përfundojë epoka e Flick.
/GazetaBlic Sport/


