Lajme

Bugaqku nga KDI-ja: Vota e mërgatës mund ta çojë VV-në deri në 50 deputetë

06/09/2026 09:13
nga:Sh R

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se votat e diasporës nuk pritet të sjellin ndryshime të mëdha në përbërjen e Kuvendit.

Sipas tij, “vota e mërgatës mund të ndikojë te VV-ja, e cila mund të arrijë deri në 50 ulëse në Kuvend”.

Ai tha se te LDK-ja dhe PDK-ja nuk pret më shumë se një ulëse shtesë, ndërsa ndikimi te partitë e tjera do të jetë i kufizuar.

Bugaqku e lidhi pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje me zhgënjimin e qytetarëve ndaj partive politike.

“Qytetarët janë të zhgënjyer me sjelljen e partive politike”, tha ai, duke përmendur edhe proceset e shpeshta zgjedhore.

Sipas tij, mungesa e konsensusit politik dhe gjendja e vështirë ekonomike kanë ndikuar në rënien e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.