Lajme

Kryeziu thotë se ekziston rreziku që sërish të ketë zgjedhje të reja

06/08/2026 19:01
nga:Genita C

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Kadri Kryeziu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kosova sërish të shkojë në zgjedhje të reja, pas disa muajsh.

Në emisionin DPT te Fidani në Klan Kosova, Kryeziu ka thënë se veprimet e partive politike për të mos gjetur zgjidhje, mund të rrezikojnë sërish zgjedhje të reja.

“Ka mundësi të shkohet sërish në zgjedhje, nuk do të doja, por mundësi ka. Si po i shoh situatat dhe këto karaktere ka mundësi për zgjedhje të reja. Mirë do të ishte të gjejnë zgjidhje dhe kompromis, shkuarja sërish në zgjedhje do të ishte dëm i madh”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka thënë se në rast të shkuarjes së sërishme në zgjedhje, padyshim që përgjegjësia do të bie mbi partinë e parë.

“Nuk mundet askush ta krijojë qeverinë pa VV-në, e as të zgjedh presidentin pa VV-në. Po, as VV nuk mundet pa një parti shqiptare. Natyrshëm fajtor është ai që ka më së shumti vota. Fajin kryesor dhe bazik e ka VV, nëse shkojmë sërish në zgjedhje.”, ka thënë ai.

Kryeziu ka deklaruar se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, duhet që brenda 30 ditësh të zgjidhet kryetari i Kuvendit.

Kurse, në momentin që caktohet mandatari për kyeministër, sipas tij, janë 60 ditë afat për krijimin e qeverisë së re.

Këto afate, sipas tij, mund të dërgojnë deri në fund të vitit dhe rreziku që në dhjetor sërish të ketë zgjedhje të reja.