Lajme

Matoshi: VV-ja është fituese e qartë, por jam skeptik se do të arrijë marrëveshje për Presidentin

06/08/2026 16:10
nga:Genita C

Analisti Halil Matoshi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e qartë e zgjedhjeve, por ka theksuar se fitorja sjell përgjegjësi për formimin e institucioneve stabile brenda afateve kushtetuese.

Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit, fituesi duhet të arrijë marrëveshje politike edhe për zgjedhjen e Presidentit.

“Fituesi është i qartë dhe i madh, pra Lëvizja Vetëvendosje! Por fituesi i madh ka edhe përgjegjësi të madhe: t’i japë vendit institucione stabile brenda afateve kushtetuese, të cilat do ta zbatojnë agjendën shtetërore pa i shmangur temat e nxehta, siç janë gazi amerikan dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, thotë Matoshi.

Matoshi është shprehur skeptik nëse kjo do të realizohet.

“Pra, vlera e vërtetë e zgjedhjeve matet me aftësinë për ta zbatuar rezultatin e tyre në formimin e institucioneve përmes marrëveshjes në mirëbesim. Pas konstituimit të Kuvendit, fituesi duhet të arrijë marrëveshje me grupet politike për zgjedhjen e Presidentit. A do ta bëjë këtë? Jam skeptik”, tha Matoshi për GazetaBlic.