Sporti

Batatina: Llapi nuk e meritonte barazhin, Superliga nuk është e njëjtë pa ne

06/06/2026 18:08
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka reaguar pas fitores 2:0 ndaj FC Dinamos në ndeshjen e barazhit, sukses që siguroi mbetjen e skuadrës podujevase në Superligën e Kosovës edhe për sezonin e ardhshëm.

Pas përfundimit të takimit, Batatina u shpreh i bindur se Llapi nuk e meritonte të gjendej në pozitën që ta kërkonte mbijetesën përmes barazhit, duke lënë të kuptohet se zhvillimet në javët e fundit të kampionatit kanë ndikuar në renditjen përfundimtare, transmeton GazetaBlic Sport.

“Së pari, mendoj se opinioni publik dhe të gjithë njerëzit në Kosovë e dinë se Llapi nuk e meritonte të luante në barazh. Unë jam prej 14 vitesh në futboll dhe besoj se disa skuadra është dashur të tregoheshin më korrekte në tri xhirot e fundit të kampionatit”, deklaroi Batatina.

Ai theksoi rëndësinë e Llapit për futbollin kosovar, duke shtuar se klubi do të kthehet më i fortë në edicionin e ardhshëm.

“Superliga nuk është e njëjtë pa Llapin! Në sezonin e ardhshëm do të ndërtojmë një skuadër solide dhe shumë të fuqishme, e cila do të synojë të rikthehet aty ku e ka vendin”, shtoi trajneri i Llapit.

/GazetaBlic Sport/