Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami, ka publikuar një video në profilin e tij në Facebook, ku ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe mënyrën se si, sipas tij, është ndërtuar mbështetja politike për Lëvizjen Vetëvendosje.
Në mesazhin e tij, Behrami pretendon se një pjesë e mbështetësve të Kurtit nuk mobilizohen për shkak të rezultateve qeverisëse, sukseseve apo projekteve konkrete, por për shkak të urrejtjes dhe mllefit të krijuar ndaj kundërshtarëve politikë.
“Kurti investon në përçarje, në frikë dhe në mllef, sepse urrejtja krijon obsesion dhe një mundësi afatgjate për të luftuar pa pushim kundërshtarët politikë”, ka thënë Behrami në videon e publikuar.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e, siç e quan ai, politikës së urrejtjes dhe përçarjes, duke kërkuar mbështetje për ndryshimin politik në vend.
Në fund të mesazhit, Behrami ka përsëritur sloganin e PDK-së, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund krizës dhe për të mbështetur kandidatin e partisë për kryeministër, Bedri Hamza.


