Neki Likaj është një mbrojtës krahu që luan me sukses si në krahun e majtë ashtu edhe në atë të djathtë. I lindur në vitin 2007, ai konsiderohet një nga talentet më premtuese të brezit të tij.
Gjatë sezonit në Ligën e Parë, Neki ka zhvilluar 29 ndeshje, duke qenë një nga mbrojtësit e krahut më efektivë në aspektin ofensiv, me 8 asistime. Ai dallohet për cilësitë e mira teknike me topin, shpejtësinë e jashtëzakonshme dhe forcën në duelet individuale.
Një nga pikat më të forta të tij janë aftësitë 1v1, ku tregon nivel të lartë si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse. Falë shpejtësisë së madhe dhe intensitetit në lojë, ai konsiderohet ndër lojtarët më të shpejtë të Ligës së Parë.

Neki Likaj ka qenë gjithashtu i grumbulluar me Kombëtaren U17 të Kosovës, duke fituar eksperiencë në nivel ndërkombëtar dhe duke konfirmuar potencialin e tij për të ardhmen.
Për lojtarin në fjalë ka interesim edhe nga disa skuadra kosovare, përfshirë edhe ato të Superligës.



