Ish-ambasadorja Alma Lama ka deklaruar se Kosova mbetet pjesë e pandashme e agjendës së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht sfidave politike që po e ngadalësojnë rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit.
“Kosova nuk ka sesi të jetë larg. Kosova është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe pjesë e agjendës së integrimit. Problemi është se në cilin pozicion ndodhet Kosova në raport me vendet e tjera të rajonit. Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka hapur dhe po mbyll kapitujt negociues. Edhe Shqipëria po avancon, ndonëse përballet me kushtezime që lidhen me drejtësinë dhe korrupsionin”, ka deklaruar Lama.
Sipas saj, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina kanë mbetur prapa në proces për shkak të problemeve politike, ndërsa Kosova përballet veçanërisht me pengesën e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së.
“Çështja është se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, për shkak të problemeve politike, e sidomos Kosova për shkak të mosnjohjes, nuk janë në të njëjtën fazë me vendet e tjera. Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim, por ende nuk ka marrë ftesë për shkak se nuk ka dakordim mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, pasi pesë prej tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj”, tha ajo.
Lama theksoi se askush në Bashkimin Evropian nuk e ka vënë në dyshim perspektivën evropiane të Kosovës, por sipas saj mbetet e paqartë koha dhe mënyra se si do të ecë përpara ky proces.
“Kosova duhet t’i plotësojë standardet e kërkuara. Askush deri më tani nuk ka thënë se Kosova nuk ka perspektivë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çështja është kur dhe si do të ndodhë kjo, si dhe kur do të lëvizin shtetet mosnjohëse drejt njohjes së Kosovës”, u shpreh Lama.
Duke komentuar vizitën e presidentit të Këshillit Evropian në rajon, ajo tha se bëhet fjalë për një tur përgatitor para samitit që do të mbahet në Mal të Zi.
“Kjo është një vizitë në të gjithë Ballkanin Perëndimor para samitit që do të zhvillohet në Mal të Zi. Është një vizitë pune dhe përgatitore që i paraprin samitit, ku pritet të diskutohen pikat e përbashkëta dhe perspektiva e integrimit të rajonit”, tha Lama.
Ajo shtoi se samiti paraqet një mundësi të rëndësishme diplomatike për Kosovën, e cila duhet të shfrytëzohet për të kërkuar mbështetje për procesin e integrimit dhe për të zhvilluar takime bilaterale me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Është një mundësi e artë për Kosovën që të paraqesë kërkesat e saj, të kërkojë mbështetje nga shtetet mosnjohëse dhe të zhvillojë diplomaci aktive në margjinat e samitit. Në këto forume takimet e drejtpërdrejta janë shumë më të lehta dhe mund të japin rezultate konkrete”, përfundoi Lama.


