Rritja e aksidenteve rrugore me pasoja tragjike gjatë javëve të fundit po ngre alarmin për nivelin e sigurisë në rrugët shqiptare. Veçanërisht shqetësues mbetet numri i lartë i këmbësorëve që kanë humbur jetën, mes tyre edhe fëmijë.
Sipas të dhënave të raportuara për muajt prill dhe maj, të paktën 11 këmbësorë janë bërë viktima të aksidenteve rrugore në Shqipëri.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre ngjarjeve ka ndodhur në zona të banuara ose pranë institucioneve arsimore, duke evidentuar problematikat që lidhen me respektimin e rregullave të trafikut dhe mbrojtjen e këmbësorëve.
Statistikat tregojnë një tendencë shqetësuese të shtimit të rasteve ku humbin jetën persona që lëvizin në këmbë, qoftë gjatë kalimit të rrugës apo në hapësira që duhet të konsiderohen të sigurta për ta.
Ndër viktimat e kësaj periudhe ka pasur edhe fëmijë. Një nga ngjarjet më të rënda u shënua në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën pasi u përplasën në trotuar nga një automjet që drejtohej nga një shofer i dehur. Ndërsa rasti më i fundit fatal ndodhi në Elbasan, ku një 7-vjeçar humbi jetën pranë shkollës së fshatit Mengël, pasi u godit nga një automjet i drejtuar nga regjisori Petri Bozo.


