Mbrëmja e sotme në Budapest do të sjellë një nga sfidat më të mëdha të futbollit evropian, ndërsa Paris Saint-Germain dhe Arsenal përballen në finalen e UEFA Champions League..
Në qendër të vëmendjes nuk do të jenë vetëm yjet e dy skuadrave, por edhe gjyqtari që do ta drejtojë këtë ndeshje: Daniel Siebert, transmeton GazetaBlic Sport.
UEFA i ka besuar gjyqtarit gjerman drejtimin e finales më prestigjioze të futbollit për klube, një emërim që konsiderohet kulmi i karrierës së tij deri më tani. 42-vjeçari nga Berlini është pjesë e listës së gjyqtarëve të FIFA-s që nga viti 2015 dhe prej vitesh bën pjesë në kategorinë elitare të UEFA-s.
Siebert ka krijuar reputacion si një gjyqtar që preferon të lejojë rrjedhshmërinë e lojës, por që nuk heziton të ndëshkojë kur situata e kërkon. Gjatë këtij sezoni në Ligën e Kampionëve ai ka drejtuar disa ndeshje të nivelit të lartë, përfshirë takime me peshë të madhe në fazën eliminuese.
Për tifozët e Arsenalit, emri i Siebert nuk është i panjohur. Gjermani ka arbitruar dy ndeshje të londinezëve në këtë edicion evropian dhe të dyja kanë përfunduar me fitore për skuadrën e drejtuar nga Mikel Arteta. Nga ana tjetër, PSG ka pasur një eksperiencë të vetme me të këtë sezon, në një barazim pa gola në fazën e ligës.
Finalja në stadiumin Puskás Arena do të jetë gjithashtu finalja e parë e një kompeticioni madhor për klube që Siebert drejton si arbitër kryesor. Megjithatë, përvoja e tij në turne si UEFA Euro 2020 dhe UEFA Euro 2024 ka bindur UEFA-n se ai është njeriu i duhur për këtë mision.
/GazetaBlic Sport/


