Lajme

Platforma për largimin e mbeturinave vëllimore, Retkoceri: Po pritet shumë mirë nga prishtinasit

05/28/2026 13:31
nga:Sh R

Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka prezantuar të dielën shërbimin e ri publik për largimin e mbeturinave vëllimore, duke ofruar një zgjidhje të organizuar, të shpejtë dhe falas për qytetarët e kryeqytetit.

Në emisionin “Fol me Arin”, Retkoceri ka deklaruar se ky shërbim ka për qëllim lehtësimin e shërbimeve për qytetarët, dhe uljet e shpenzimeve për kompanitë për largimin e mbeturinave.

Tutje, ai shtoi se kjo platformë po pritet shumë mirë nga qytetarët, teksa u bëri thirrje atyre që nuk janë regjistruar në aplikacion, ta bëjnë këtë.

Po ashtu, Retkoceri tha se deri më tani janë 70 regjistrime, ndërsa 15 prej tyre kanë përfunduar kërkesën e qytetarëve për të larguar mbeturinat vëllimore.