Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri vlerëson se 100 eurot e Kurtit do të kenë ndikim të kufizuar në rritjen e përqindjes së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e qershorit, duke i cilësuar këto masa si “pako elektorale” të aktivizuara vetëm pak ditë para votimit, raporton GazetaBlic.
Muhaxheri në një prononcim për GazetaBlic, ka folur lidhur me ndikimin e këtyre pakove financiare në procesin zgjedhor, ku thotë se koha e shpërndarjes së tyre tregon qartë karakterin elektoral të vendimeve të qeverisë në detyrë.
“Para se të lëshohemi te efekti i këtyre pakove ne raporti me voten duhet të konstatohet se këto pako u lëshuan vetëm pak ditë para ditës së votimit dhe rrjedhinisht jane pako elektorale, sepse të gjitha pakot po aktivizohen në kohë zgjedhjesh, duke u fshehur kinse pas festave, siç është rasti tani me Kurban Bajramin”, u shpreh ai.
Sipas Muhaxherit, nëse bëhej fjalë për lehtësime reale sociale, ato do të duhej të shpërndaheshin edhe gjatë festave të tjera përgjatë vitit.
“Po të ishte lehtësim real, atëherë gjatë një viti kemi shumë festa fetare dhe jo fetare; pse nuk u shpërndanë edhe atëherë këto pako, kur dihet që Fitër Bajramin e kishim vetëm dy muaj para Kurban Bajramit dhe atëherë nuk u aktivizuan pakot, sepse nuk kishte zgjedhje”, tha ai.
Duke komentuar efektin e mundshëm elektoral, Muhaxheri tha se ndikimi mund të jetë më i vogël sesa pret partia në pushtet.
Ai komentoi edhe vendimin e qeverisë në detyrë për ndarjen e 2 milionë eurove për mbështetjen e linjave të fluturimit për mërgatën, duke lënë të kuptohet se ky veprim ngre pikëpyetje serioze.
“Ndërsa sa i përket efektit, besoj se do të jetë më i vogël sesa mund ta llogarisë partia në pushtet. Duke e ditur edhe vetë këtë gjë, kanë vazhduar me pakon për blerjen e votës së diasporës, me pakon për mbështetjen e mërgatës, e cila më shumë po duket si rast që kërkon një hetim më të hollësishëm, përtej aspektit vetëm elektoral”, theksoi tutje.
Sipas tij, ndikimi real i këtyre dy pakove do të shihet në rezultatin e 7 qershorit, por ai vlerëson se standardi i ndershmërisë zgjedhore tashmë është cenuar.
“Ndikimin real mund ta shohim më 7 qershor te këto dy pako të aktivizuara në prag zgjedhjesh, por ajo që tashmë mund të konstatohet është se këto zgjedhje nuk mund të konsiderohen të ndershme. Sa do të jenë të lira dhe demokratike, mbetet të shihet, por të ndershme më nuk janë”, përfundoi Muhaxheri.


