Policia e Kosovës ka njoftuar se shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në rajone të ndryshme të Kosovës, ndërsa katër persona kanë përfunduar të arrestuar. Në disa prej rasteve, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.
Sipas raportit policor, në Pejë janë regjistruar tri raste të ndara të dhunës në familje. Në njërin rast, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka pranuar tretman mjekësor. Në rastin tjetër, një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se ishte viktimë e dhunës psikike dhe fizike, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Ndërkaq, në mbrëmje është arrestuar edhe një tjetër i dyshuar, i cili në gjendje të dehur dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj një gruaje.
Në Istog, policia ka bërë të ditur se një burrë dyshohet se i ka shkaktuar dhunë psikike një gruaje. Pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.
Në Deçan janë arrestuar dy persona, një burrë dhe një grua, nën dyshimin për ushtrim të dhunës fizike ndaj dy viktimave. Njëri nga viktimat ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Edhe në Rahovec është raportuar një rast i dhunës psikike dhe fizike ndaj një gruaje, e cila ka pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit të palëve, rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Gjakovë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht një grua. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.


