Lajme

Bastiset selia e partisë së kryeministrit spanjoll Sanchez – nën hetime edhe vëllai dhe gruaja e tij

05/27/2026 12:34
nga:Sh R

Policia spanjolle ka bastisur selinë e Partisë Socialiste në Madrid për të kërkuar informacione lidhur me një skemë të mundshme pagesash të paligjshme, raportuan mediat spanjolle, në një kohë kur po zhvillohen disa hetime për korrupsion ndaj aleatëve të kryeministrit Pedro Sanchez.

Një zëdhënës i Guardia Civil i tha Reuters se oficerët kishin hyrë në ambientet e partisë, por nuk dha detaje të tjera pasi procedurat janë sekrete.

Policia po vepronte mbi bazën e një kërkese gjyqësore për informacion, e cila kërkon njoftim paraprak dhe synon artikuj specifikë, ndryshe nga një “hyrje dhe kontroll” që kryhet pa paralajmërim për të mbledhur lloje të ndryshme provash.

Zëdhënësja e partisë, Montse Minguez, ka deklaruar partia po bashkëpunonte plotësisht me gjykatat, duke theksuar se çdo informacion i kërkuar do të dorëzohej.

Partia e Pedro Sánchez është përballur me një sërë skandalesh korrupsioni, përfshirë hetime të ndryshme ndaj aleatëve të tij kryesorë dhe anëtarëve të familjes.

Një gjykatë javën e kaluar tha se ish-kryeministri socialist dhe aleati i ngushtë i Sánchezit, José Luis Rodríguez Zapatero, dyshohej se udhëhiqte një rrjet të trafikimit të ndikimit dhe pastrimit të parave, duke i dhënë një tjetër goditje qeverisë së majtë. Zapatero mohoi çdo keqbërje.

Nën hetime edhe vëllai dhe gruaja e vëllait të tij

Nesër, vëllai i vogël i kryeministrit, David Sánchez, do të dalë në gjyq lidhur me akuzat se atij iu krijua një vend pune i posaçëm nga këshilli i drejtuar nga socialistët në qytetin jugperëndimor Badajoz në korrik të vitit 2017, kur vëllai i tij ishte lider kombëtar i PSOE, por ende jo kryeministër, raporton “The Guardian“.

Ndërkohë, një gjyqtar që po heton akuzat se bashkëshortja e Sánchezit, Begoña Gómez, përdori ndikimin e saj si bashkëshorte e kryeministrit për të siguruar sponsorë për një program master universitar që ajo drejtonte dhe përdori fonde shtetërore për të paguar ndihmësen e saj në çështje personale, e ka thirrur atë të paraqitet më 9 qershor.

David Sánchez dhe Gómez kanë mohuar çdo keqbërje. Të dy janë vënë nën hetim pas ankesave të ngritura nga grupi presionit Manos Limpias (“Duar të Pastra”), një organizatë që e përshkruan veten si sindikatë dhe që ka lidhje me të djathtën ekstreme, me një histori të gjatë të përdorimit të gjykatave për të ndjekur objektiva politikë.

Kryeministri Pedro Sánchez – i cili ka deklaruar se familja e tij ka qenë viktimë e një “operacioni ngacmimi dhe bullizmi” të zhvilluar nga kundërshtarët e tij politikë dhe mediatikë – ka këmbëngulur se asnjëri prej tyre nuk ka kryer ndonjë shkelje. Sánchez ka vënë gjithashtu publikisht në dyshim pavarësinë e disa anëtarëve të sistemit gjyqësor spanjoll, duke deklaruar vitin e kaluar se “nuk ka dyshim që ka gjyqtarë që bëjnë politikë dhe politikanë që përpiqen të bëjnë drejtësi”.

Sanchez ndodhet sot në Rome për një vizitë në Vatikan, ku është planifikuar të takohet këtë mëngjes me Papën. Pas takimit pritet një konferencë për shtyp, ku ai pa dyshim do të përballet me një sërë pyetjesh lidhur me kontrollet e zhvilluara në Madrid.