Sezoni 2025/26 i Ligës së Kampionëve do të mbyllet me një finale gjigante mes Paris Saint-Germain dhe Arsenalit, që do të zhvillohet në Budapest, Hungari, në stadiumin Puskas Arena, këtë fundjavë, respektivisht të shtunën.
Parisienët, kampionët në fuqi, synojnë të bëhen vetëm klubi i dytë në epokën e Ligës së Kampionëve që mbron trofeun me sukses pas Real Madridit, që e fitoi tri herë radhazi mes viteve 2016 dhe 2018, transmeton GazetaBlic Sport.
Në anën tjetër, Arsenali, nënkampion i këtij kompeticioni në vitin 2006, kërkon të hyjë në histori si klubi i 25-të që e fiton këtë trofe dhe të bëhet fitues i ri, pas triumfit të PSG-së në vitin 2025.
Ndeshja do të luhet me fillim nga ora 18:00, më herët se zakonisht në krahasim me vitet e fundit, pasi UEFA synon të përmirësojë përvojën e ditës së ndeshjes për tifozët, ekipet dhe qytetin pritës, duke optimizuar logjistikën dhe operacionet e eventit.
/GazetaBlic Sport/


