Lajme

Thaçi: Premtimi për pagën e 14-të duhej të bëhej në Kosovë, jo në diasporë

05/25/2026 18:21
nga:Genita C

Juristi, Emrush Thaçi ka vlerësuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, premtimin për një pagë të 14-të për punonjësit do të duhej ta bënte në Kosovë dhe jo gjatë një tubimi me diasporën.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Thaçi ka deklaruar se një premtim i tillë, nëse synohet të realizohet, duhet të dëgjohet nga qytetarët që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

Sipas tij, mënyra se si partitë politike po i qasen diasporës nuk është e duhura, pasi premtimet që po bëhen ndaj saj po duken të ekzagjeruara.

“Dëgjova edhe kryeministrin në detyrë kur e premtoi pagën e 14-të në diasporë, ndërsa unë mendoj që paga e 14-të, në qoftë se ndodh që të realizohet, do të duhej të premtohej këtu brenda në Kosovë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka shtuar se si pushteti ashtu edhe opozita, të cilët synojnë të qeverisin vendin në të ardhmen, duhet t’i bazojnë premtimet e tyre në realitet dhe në mundësitë konkrete të realizimit.

“Më mirë është që në parim të orientohen në një fushatë me planprogram zhvillimor”, ka theksuar ai.