Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz lidhur me vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit.
Sipas reagimit të OAK-së, Kodi i Procedurës Penale përcakton afate të qarta dhe imperative për trajtimin e këtyre rasteve, për shkak se bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.
Megjithatë, Oda thekson se në praktikë po vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.
“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak”, thuhet në reagim.
Sipas OAK-së, vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme.
Oda e Avokatëve vlerëson se respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk është vetëm obligim procedural, por edhe garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin e mjeteve juridike.
Në fund, OAK u ka bërë thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë.


