Me datën 19.05.2026, rreth orës 15:20, stacioni policor në Kaçanik ka pranuar një ankesë, se në fshatin Begrac është dëgjuar një krismë arme e zjarrit.
Pas daljes në vendin e ngjarjes është vërejtur një vrimë në kornizën e dritares dhe një tjetër në murin e jashtëm të shtëpisë së një banori.
Në konsultim me prokurorin e shtetit, fillimisht është iniciuar shënim zyrtar dhe janë njoftuar hetuesit e stacionit dhe krimteknikët rajonal për ekzaminim të vendit të ngjarjes.
Gjatë hetimeve të njësive policore në terren është dëgjuar edhe një tjetër e shtënë në një distancë të afërt. Pas reagimit të shpejtë, është identifikuar dhe ndaluar një person i dyshuar A.G (75 vjeç), i cili kishte në posedim një armë zjarri (pushkë të gjuetisë), një gëzhojë të përdorur, si dhe një fishek.


