Lajme

Komuna e Ferizajt e demanton Fitore Pacollin pas akuzave: Shpronësimet bëhen nga Ministria, jo nga Komuna

05/19/2026 18:31
nga:L J

Komuna e Ferizajt ka reaguar ndaj deklaratave të ministres në detyrë të Mjedisit, Fitore Pacolli, e cila gjatë një konference për media denoncoi publikisht dy raste të shpronësimeve në Ferizaj, për të cilat tha se ka dyshime serioze për keqpërdorim të parasë publike.

Nga Komuna kanë deklaruar se procesi i shpronësimeve kryhet dhe merr vlerësim përfundimtar në nivel qendror, përkatësisht në departamentin e shpronësimeve të ministrisë përkatëse, e jo nga institucioni komunal.

Në reagimin e saj, Komuna e Ferizajt ka vlerësuar se përpjekjet për t’i paraqitur këto raste si përgjegjësi të komunës janë të pasakta dhe përbëjnë keqinformim të opinionit publik. Tutje, komuna ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe një procesi të qasshëm për të gjitha palët e interesuara.