Arianit Koci, avokat, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se Sami Lushtaku kishte tentuar ta godiste veturën e tij gjatë fushatës së vitit të kaluar, raporton GazetaBlic.
Koci e cilësoi çështjen si jashtëzakonisht shqetësuese dhe kërkoi sqarime urgjente nga institucionet për rastin, duke pyetur nëse është hapur hetim, nëse ekziston raport policor dhe nëse ka pasur procedim penal.
Ai deklaroi se, nëse pretendimi i Kurtit nuk është i vërtetë, atëherë “një politikan që rren kaq ulët publikisht, nuk e meriton me qenë në krye të qeverisë”.
Koci gjithashtu ftoi Policinë dhe Prokurorinë që të deklarohen publikisht për këtë çështje.
Postimi i plotë:
Albin Kurti ka deklaruar mbrëmë se Sami Lushtaku ka tentuar ta godiste veturën e tij gjatë fushatës së vitit të kaluar.
Kjo deklaratë është jashtëzakonisht shqetësuese për qytetarët e Kosovës.
Nëse dikush mundet me tentu me e godit veturën e kryeministrit të Kosovës në mes të fushatës, në një incident që ka mundur me përfundu edhe fatalisht, pa u arrestuar dhe pa pasoja juridike, atëherë çfarë sigurie ka qytetari i zakonshëm?
Por, në rast se kjo nuk është e vërtetë, atëherë një politikan që rren kaq ulët publikisht, nuk e meriton me qenë në krye të qeverisë.
Prandaj duhet sqaruar urgjentisht:
– A është hapur rast;
– A ka raport policor;
– A ka procedim penal.
Për shkak se kjo është çështje e interesit nacional, kryeministri duhet ta publikojë raportin policor për këtë ngjarje.
Sidoqoftë, e ftoj policinë dhe prokurorinë me u deklaru për këtë çështje.


