Lajme

‘PDK, LDK dhe AAK, e kanë obligim shtetëror të unifikojnë radhët për t’a larguar nga pushteti regjimin populist’

05/19/2026 12:31
nga:Y I

Në zgjedhjet e 7 qershorit, opozita, vjen me disa risi nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Lidhja Demokratike e Kosovës garon së bashku me Vjosa Osmanin, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të jetë me kryetar të ri, Ardian Gjini, PSD po bën një fushatë ndryshe me ‘goditje’ ndaj ish-opozitës po ashtu ndryshime pak më të vogla po shihen edhe në PDK.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka filluar fushatën vrullshëm duke synuar mbi 60% të votave.

Kështu ka deklaruar kryetari i këtij subjekti politik njëherësh kryeministër në detyrë i vendit, Albin Kurti.

Në lidhje me këto zgjedhje dhe çfarë pritet të sjellin ka folur për “Gazeta Blic”, ish-ambasadori i Kosovës në RMV, Gjergj Dedaj.

Dedaj tha se këto zgjedhje do të duhej të ishin një referendum për ndryshimet politiket dhe largimin e ‘regjimit anarkist’ që sipas tij është në Kosovë.

Ai tha se diçka e tillë mund të arrihet me një unitet opozitar.

“Zgjedhjet e 7 qershorit, do duhej të ishin një referendum për ndryshimet politiket dhe largimin e regjimit despotist dhe anarkist në ikje i cili e ka degraduar shtetin e Kosovës.Kjo mund të arrihet me nje unitet opozitar dhe ngritje të vetëdijes dhe të ndergjegjes qytetare e cila sot o kurr duhet t’a ndëshkojnë dështimin dhe keqëqeversijen fatale të LVV” deklaroi Dedaj.

Dedaj duke komentuar ndryshimet e fundit nga kampi ish-opozitar tha se AAK me Ardian Gjinin në krye jo vetëm që do t’a kalojë pragun  por se do të ketë rritje të ndjeshme.

Ai tha se edhe Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të konsolidohet pas debakleve të njëpasnjeshme në proceset e kaluara zgjedhore.

Edhe tek Partia Demokratike e Kosovës, Dedaj, tha se pritet të ketë rritje.

Ndërsa sa i përket PSD-së, Dedaj, tha se nuk e kanë të qartë se kujt janë duke i bërë opozitë.

“AAK me Haradinajn dhe Gjinin jo vetem qe do ta kalojnë pragun por do të kenë rritje të ndjeshme, ashtu sikur edhe LDK pritet të konsolidohet pas debakleve të njepasnjeshme në proceset e kaluara zgjedhore.PSD per mendimin tim nuk është e qarte se kujt është duke i bërë opozitë, pozites apo opozites dhe nuk pritet ndonje rezultat i saj relevant në këto zgjedhje”

Dedaj potencoi se ‘zgjedhjet e 7 qershorit e vendosin përfundimisht fatin dhe të ardhmen Euroatlantike të Kosovës’.

“PDK shpresoj se do ia dal të ketë rritje të madhe, e cila së bashku me LDK dhe AAK , si subjekte shtetformuese e kanë obligim politik, shtetëror dhe përgjegjësi historike dhe qytetare të unifikojnë radhët dhe t’a largojnë nga pushteti regjimin populist të ekstremit të majtë, i cili jo vetem në planin ndërkombëtar me partnerët Amerikan dhr Europian, e ka shkatërruar Kosoven edhe në rrafshin e brendëshem e ka izoluar, korruptuar dhe kapur çdo segemt të shtetit të Kosovës.Zgjedhjet e 7 qershorit e vendosin përfundimisht fatin dhe të ardhmen Euroatlantike të Kosovës” deklaroi Dedaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/