Lajme

Shkëmb Manaj: Sulmet ndaj Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut tejkalojnë standardet e debatit demokratik

05/18/2026 12:53
nga:Genita C

Shkëmb Manaj, kandidat i LDK-së për deputet me numrin 20 ka reaguar ndaj sulmeve dhe gjuhës fyese të drejtuara ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, duke thënë se ato tejkalojnë standardet e komunikimit publik dhe debatit demokratik, raporton GazetaBlic.

Manaj bëri të ditur se për herë të tretë i janë drejtuar Policisë së Kosovës, konkretisht Njësisë kundër krimeve kibernetike, me kërkesë për hetimin dhe parandalimin e këtyre rasteve.

Ai tha se liria e shprehjes nuk duhet të përdoret për cenimin e dinjitetit personal apo institucional, ndërsa e cilësoi shqetësuese gjuhën denigruese ndaj grave në politikë. Sipas tij, qytetarët meritojnë debat politik me etikë, profesionalizëm dhe argumente, e jo “fyerje dhe propagandë”.

Postimi i plotë:

Sulmet e vazhdueshme, gjuha fyese dhe deklaratat denigruese të drejtuara ndaj Presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit Lumir Abdixhiku përbëjnë tejkalim të standardeve të pranueshme të etikës së komunikimit publik dhe të parimeve themelore të debatit demokratik. Për këtë çështje, sot për herë të tretë iu kemi drejtuar me kërkesë Policisë së Kosovës – Njësisë kundër krimeve kibernitike që ti ndërmarrin veprimet e nevojshme për hetimin dhe parandalimin e tyre!

Në një shtet demokratik, liria e shprehjes nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mjet për cenimin e dinjitetit, integritetit personal apo institucional të individëve. Diskursi publik duhet të mbështetet në argumente, përgjegjësi politike dhe respekt reciprok, duke shmangur gjuhën e urrejtjes, shpifjet dhe sulmet personale.

Veçanërisht shqetësuese mbetet gjuha denigruese ndaj grave në politikë, e cila cenon parimet e barazisë, respektit dhe është edhe kundër traditës tonë shqiptare.
Qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë një kulturë politike të bazuar në etikë, profesionalizëm dhe debat demokratik, ku dallimet politike adresohen përmes vizionit dhe argumentit, e jo përmes fyerjeve dhe propagandës. Pavarësisht sulmeve, angazhimi ynë për shtetin, demokracinë dhe të vërtetën mbetet i palëkundur. Ata kanë propagandën, ne kemi të vërtetën.