Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar ish-deputetin dhe veprimtarin Agim Kikaj në 9-vjetorin e vdekjes së tij, duke vlerësuar lart kontributin e tij në rrugëtimin për liri, pavarësi dhe ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Në mesazhin përkujtimor, Abdixhiku e cilësoi Agim Kikajn si një figurë patriotike, politike dhe njerëzore me rol të rëndësishëm në veprimtarinë e LDK-së dhe në jetën institucionale të vendit. Ai kujtoi angazhimin e hershëm të Kikajt në çështjen kombëtare, si dhe shërbimin e tij si kryetar komune në Podujevë dhe deputet për disa mandate.
Abdixhiku theksoi se ndarja e tij nga jeta më 18 maj 2017 ishte humbje e madhe për Kosovën dhe proceset demokratike në vend, duke shtuar se ai do të kujtohet gjithmonë për modestinë, afërsinë me qytetarët dhe humorin karakteristik.


