Lajme

“Vjosa Osmani po insiston që të jetë figura kryesore anti Kurtit”

05/17/2026 15:42
nga:G B

Analisti politik, Afrim Kasolli, ka thënë se gjithë fushata duket se do të jetë mes Osmanit e Kurtit, derisa ka vlerësuar se është Vjosa Osmani ajo që po insiston të jetë figura kryesore anti Kurtit.

Sipas tij, Osmani po insiston se pa të politika e jashtme e shtetit do të pësonte goditje fatale.

“Është insistim sidomos i Vjosa Osmanit që të jetë figura kryesore anti Kurtit në këtë fushatë elektorale dhe me një kauzë të vetme, deri më tani, sepse Vjosa Osmani nuk ka arritur të artikulojë më tepër tema tjera ekonomike, sociale që do të tregonin këtë qeverisjen e VV-së por ajo kryesisht po insiston në atë që pa të politika e jashtme e shtetit do të pësonte goditje fatale dhe se përkundër rrethanave që ka qenë ajo ka arritur që ta garantojë atë stabilitet. Pati edhe deklarime të tilla, edhe pse nuk përmendi emra, se ka pasur politikanë që kanë dashur t’i vendosin qira Boondsteelit amerikan, që ishte evidente që fjala ishte për Albin Kurtin, pra insistimi dhe fokusi kryesor i Vjosa Osmanit në përgjithësi dhe i LDK-së meqë është pajtuar që t’ia bartë barrën kryesore për adresim publik është ruajtja e marrëdhënieve me SHBA dhe vendet tjera perëndimore”, ka thënë ai.

Kasolli ka potencuar se kur Osmani ishte bashkë me Kurtin, e sulmonte prezencën e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, në kohën e Avdullah Hotit, ndërsa tani po tenton të përfitojë nga diçka që ka sulmuar.

“Por, një kohë kur Vjosa Osmani ka qenë bashkë me Albin Kurtin e sulmonte prezencën e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, në kohën e drejtimit nga Avdullah Hoti, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte nënshkruar marrëveshje, ndërsa që Vjosa Osmani kishte shfrytëzuar frymën populiste që ishte krijuar në atë kohë, pikërisht duke e sulmuar atë prezencë të Kosovës në SHBA. Tash kjo po tenton të përfitojë politikisht nga diçka që dikur e ka sulmuar për shkak të interesave personale që ka pasur nga bashkëpunimi me Albin Kurtin”, ka deklaruar Afrim Kasolli./Gazeta Blic/