Kreshnik Uka, një nga sulmuesit më në formë të Superligës së Kosovës këtë sezon dhe golashënuesi më i mirë me 16 gola, po vazhdon të jetë vendimtar për Drenicën me paraqitjet e tij dhe efikasitetin në sulm.
Në një prononcim për “GazetaBlic Sport”, ai ka folur për situatën e skuadrës së tij dhe formën personale, duke theksuar se gara për mbijetesë mbetet shumë e vështirë dhe e hapur deri në fund të sezonit.
Uka u shpreh se çdo ndeshje po zhvillohet me presion të madh, pasi edhe ekipet e tjera që luftojnë për mbijetesë po japin maksimumin në çdo përballje, duke e bërë garën edhe më të fortë.
“Jemi afër, por ende asgjë nuk është e sigurt, sepse edhe ekipet tjera që po luftojnë për mbijetesë po japin maksimumin në çdo ndeshje dhe kemi presion të vazhdueshëm për t’i ikur barazhit,” u shpreh ai.

Sa i përket formës së tij të mirë, sulmuesi falënderoi fillimisht Zotin për shëndetin dhe suksesin, duke theksuar se arritjet individuale janë edhe meritë e bashkëlojtarëve dhe stafit teknik.
“Për formën e mirë, falënderoj Zotin së pari për shëndetin dhe suksesin, pastaj të gjithë shokët dhe ekipin sepse edhe falë tyre jam në formë të mirë në aspektin individual,” tha Uka.

Ai shtoi se për të është obligim të japë maksimumin në çdo minutë në fushë, si me gola ashtu edhe me asistime dhe angazhim maksimal, duke theksuar rëndësinë e klubit dhe historisë së Drenicës.
“Detyra ime është të jap më të mirën çdo minutë që jam në fushë, me gola, me asiste dhe me angazhim, sepse Drenica është ekip me histori të veçantë dhe e kam për obligim si lojtar i këtij qyteti,” theksoi ai.

Në fund, Uka falënderoi tifozët “Shqiponjat e Zeza” për përkrahjen e vazhdueshme gjatë gjithë sezonit, si dhe stafin teknik për mbështetjen dhe punën e bërë deri më tani.
/GazetaBlic Sport/


