Sporti

Kontrata e re e Ancelottit shkakton debat te tifozët në Brazil

05/15/2026 10:55
nga:Mergim Rreci

Zgjatja e kontratës së Carlo Ancelottit me përfaqësuesen e Brazilit deri në vitin 2030 ka sjellë reagime të përziera nga tifozët brazilianë, të cilët kanë ngritur dyshime për kohën dhe arsyet e këtij vendimi.

Sipas reagimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, një pjesë e tifozëve e konsideron rinovimin si të nxituar, duke theksuar se trajneri italian ende nuk e ka drejtuar ekipin në një turne të madh si Kupa e Botës. Për këtë arsye, ata mendojnë se nuk ka ende mjaftueshëm prova për të justifikuar një kontratë kaq afatgjatë.

Disa kritikë shkojnë edhe më tej, duke thënë se përfaqësuesja e Brazilit nuk ka treguar ende një nivel të qëndrueshëm dhe dominues që do ta bënte një marrëveshje deri në 2030 plotësisht të arsyeshme.

Megjithatë, nga ana tjetër, vendimi shihet si një shenjë besimi nga Federata Braziliane e Futbollit, e cila synon stabilitet dhe një projekt afatgjatë nën drejtimin e një trajneri me eksperiencë të madhe si Ancelotti. Mbështetësit e këtij vendimi argumentojnë se një kontratë e gjatë i jep ekipit qartësi dhe vazhdimësi në ndërtimin e skuadrës para Kupës së Botës.

/GazetaBlic Sport/