Ish-presidentja Vjosa Osmani ka treguar disa nga arsyet e refuzimit të Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurti për ta përkrahuar atë edhe për një mandat tjetër si presidente.
E ftuar në Rubikon të Klan Kosovës, Osmani ka bërë të ditur se në dhjetor të vitit të kaluar ajo kishte marrë premtimin nga Kurti se do të vazhdonin edhe për një mandat tjetër, madje jo vetëm një mandat por për “edhe 10 apo 15 vite”.
“Në dhjetor dhe para dhjetorit ka pas diskutime edhe për një rrugëtim të përbashkët për 10 apo 15 vite. Kur kam thënë se synoj një mandat, nuk ka qenë thjeshtë një supozim por ka qenë një përkrahje dhe një premtim. Mirëpo në fund kanë vendosur që ta ndajnë rrugëtimin dhe të përkrahin kandidatë të tjerë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka hedhur akuza të rënda ndaj Kurtit, duke thënë se disa nga arsyet për “shkarkimin” e saj ishte vendimi për parakalimin e FSK-së ditën e Pavarësisë së Kosovës.
“Në shkurt jam informuar që nuk e kam përkrahjen e tyre, por arsyet kanë qenë banale, siç ishte arsyetimi i tij se i duhet një president që nuk merret me punë të jashtme. Pastaj kishte gjëra tjerë si për shembull përse e kam kërkuar që FSK të parakalojë më 17 shkurt”, ka thënë Osmani.


